Saturday, February 18, 2017

Mbretëreshat me celular - nga Kol Shkodrani



MBRETËRESHAT ME CELULAR

çdo ngjashmërime persona realë
është e rastit.

nga KOL SHKODRANI


Isha duke luajtur shah me vetvetën dhe në krahun nga rrija po buzëqeshte fitorja. Tërë shanset ishin të bëja mat. Pikërisht kur dy figurat e anës tjetër të tabelës me 64 katrorë ishin gati për tu bllokuar, mbretëreshat e dy fronteve që krekoseshin në mes të fushës së betejës duke krehur flokët e vet të artë, me celular në dorë nisën të shkëmbenin replika.
Nga qe zerat zgjateshin ne celular, degjoheshin si vokalica operetash gazmore.


Jam mbretëreshë 
këtej deti
jam grua mbreti.
Je mbretëreshë 
në oqean
po kujdes moj aman
je balli i kazanit 
e jo fundi i damizhanit.
bëjmë kujdes 
për fronet tona 
që sundimi
të vazhdojë
jo të bjerë 
tëposhtë i larti
e i poshtmi lart të çohet
jo të ulet korobardhi
e të ngrihet koroziu
koroziu faqemiu
jo të ik tutje meleqi
e të na shfaqet 
me sfurk dreqi
vuajtëm boll 
në kohë të keqe
apo jo mikja Meleqe…

Njëra nga mbretëreshat e shahut, ju afrua shoqes e i tha në kofidencë: Peqe-lepe, zonja Zenepe, po ka ndrru havaja, moj ndrikull. Se që thua ti, kur të pyesja dikur në Shkozet, "ku ke qënë, shoqja Zenepe" ti më përgjigjeshe," isha për planca", ndërsa tani je bërë zonjë e madhe e kur të pyes më thua "Sapo u ktheva nga Franca!". Si s'u ngope me të mira e famë moj zonja Zenepe?!
Figura tjetër përballë ja ktheu disi e nervozuar me shprehjen mbreterore:" Plastë ai që thotë mjaft!". Mu kujtua që këto fjalë i kisha lexuar tek Shekspiri, Makbethi ja thoshte Makdafit tek përplasnin shpatat, ndaj thashë me vete se kjo Zenepja duhej të jetë e këndueshme. Ca libra i kish lëçitur së mbari e ca mësime për jetën i kishte nxënë së prapthi. Por veç, nuk e di pse zërat më vinin të stërgjatur e me jehonë të stërlargët. Sikur vinin nga një botë tjetër. Më bëhej se njëra fliste matanë Alpeve në Europë e tjetra nga bregu lindor oqeanik në një gropë. Një fushë shahu plus mijra e mijra kilometra hapsirë oqeanike nuk i pengonin dy mbretëreshat prej plumbi të ndjeheshin sikur ishin në një kafene ku hallku bënte llogje Shijaku a, sikur po shullëheshin barkjashtë tek Shkëmbi i Kavajës duke lëpirë akullore dykatëshe tutti frutti…
     
*       *       *

Pikërisht atëherë kur dy mbretëreshat e këtej e andej oqeanit kishin rënë në ujdi dhe i kishin mbyllur celularët, papritur nga qielli më ra në dorë një letër me të cilën komunikonin dy figura imagjinare që mund të ishin ato të fushës së shahut por edhe të fushës së jetës, sepse a nuk luajmë në jetë më së shumti si në shah, a nuk i zëmë pusi kundërshtarit, a nuk i hamë ushtarët njëri tjetrit, a nuk ja vjedhim njëri tjetrit kuajt, nuk ja marrim kalanë nga brenda, a nuk përpiqemi tia miklojmë mbretëreshën tjetrit?... Ishin figura shahu apo jete, unë ende nuk i jap kand, por veç di se ishin dy figura, njëra, që e quante veten Figurë e njohur, Zenepja e Vishocicës, tjetra Meleqe Dybeku e Merremelëngut, krahina kjo e Humbellës së Kuqe. Meleqe Dybeku nuk kishte ndofarë reputacioni e përpiqej të afirmohej me grushta e brryla për të dalë në botën e madhe të famës. Thënë të drejten, asaj nuk i pelqente fjala famë, sepse ashtu në anglisht i thonë shkumbës, pra flluckë sapuni, prandaj preferonte shprehjen “Who is who..”. Brief History…se aty e kishte syrin Meleqja e Humbellës së Kuqe, ta shënonte emrin në Brief Historinë …e memedheut. Ah, i shkreti mëmëdhe… ku na ka rënë koka, ku për varr nuk gjëndet gropa…
Figura e njohur- Zenepja që e thërrisnin edhe Zenepe Hanëmi, përshëndeste që nga thellësia e zemrës miken e dashur që, në përpjekje për të lartësuar figurën e vet ende të mosnjohur, i kishte dhënë dërrmën disave kundërshtarëve, që merret me mend se kush janë, sepse qenë përmëndur nga Meleqja në mesazhin bashka-bisht-ngjitur, “përshëndetje kafepirës mengjezorë", të letrës që më ra nga qielli. Me siguri letrën e kanë shkruar në ndonjë internetkafe, thashë me vete. Enthusiazmi euforik në një anë dhe sulm-zulmet nga ana tjetër janë dy ekstreme që puqen e janë të njohura tek Zenepe Hanëmi... Ndërsa Meleqe Dybeku shkruante pak por qëllonte në shënjë mbi "armiqtë e puçistët". Po ç'ta ngasim, vetë letra e thotë, e zeza mbi të bardhë, por vende vende për ta theksuar e kemi ngjyrosur me të kuqe. Mirëpo, me bëhej nakel e më dukej se ngjisnin të dyja njësoj, sikur dora e djathtë shkruante për të majtën dhe e majta i përgjigjej se djathtës. Gjithmonë një fantazëm ka dy fytyra, thonë, si përbindëshi ka dy krerë. Për këtë thënie u binda, pasi që në një inkursion që bëmë nepërmjet një bisede telefonike për indentifikimin e Meleqes që thoshte se shkruante nga Prishtina ku kishte shkuar me mision të posaçëm, na rezultoi se nuk ekzistonte ndonjë Meleqe me Dr. apo pa Dr., përndryshe kishte Shyrete, Sherbete, Lezete, Kimete por jo Meleqe.. Nuk kishte as dhe një për be, pra nuk i gjendej as nami e as nishani asaj Meleqes, që siç thamë edhe në krye, mund të jetë edhe ndonjë nga ato që tundin dybekun prapa ferrës, që bota të mos i shohë e zhurmën të mos tua dëgjojë. Po fundja mbiemrin e ka dybeku dhe i takon ta tundë...si ja do zogu i qefit. Kush po e ndalon…
Ec e zgjidhe gjithë këtë lëmsh me lesh Meleqesh, thashë me vehte...
- Po pse merakose,- më tha hazërxhevap Birbil Ferra i Babastanit, që nuk i ha palla, nëse ka apo nuk ka Meleqe nga nahija Kodrës së Diellit të Prishtinës, - vazhdo rrëfimin or mik e ik me tutje pa Meleqe, me tha.
Nuk merakosesha or jo, as nuk e çaja zollotën, siç thonë andej nga nahija e Gjirokastrës, por gjithë merakun e kisha se ai urim i madh, i madhërishëm thuaj, që ja bënin dikur me bollëk Diktatorit, do të vente dëm në këtë letër-defterin që më erdhi krejt papritur si rrufeja në thatësirë të korrikut kur nuk gjen një pikë re në qiell. Në atë letër Zenepe Hanëmi i shkruante plot pathos( eh moj Safo e lashtësisë, të humbtë vula - thashë me vete) Meleqes pra, "tu bëftë dita njëmijë, moj motër Meleqe!". Por kujt ja tha? Erës? Ja thoshte dallgëve të detit e ata nisnin kërkimin ku të ishte e ku të mos ishte motra Meleqe? Mirë që Zenepe Hanëmi nuk shtoi edhe fjalët profane që ja thonin dikur qoftlargut: "marrsh nga ditët e tona, o lanet", se, eja e merri prapa ditët e taksura Meleqes kur ajo të ketë përdredhur kërbishtin. Mbete pa ditë, t'u shkurtuan urët, moj e gjorë...
Ka shumë gjëra që mbeten enigma në atë letër që më ra në dorë, kur sapo përfundoja lojën e shahut. Atë letër tashmë e bëra të njohur si një relike e rallë, si një vepër e krijuar nga gjenialiteti i Zenepe Hanëmes që meriton të skalitet me gërma të arta në panteonin e Letrave kombetarë e pse jo edhe ndërkombëtare... Fjala që bie xhanëm, se letrat janë mall importi, na i sjellin me bollëk tregtarët grekë e në ato letra nuk ka kurrgjë kombëtare.
E verteta është që atë letër që më ra nga qielli duhet ta ruaj si relike, pergamen, talisman a si busull në kërkim të Meleqes, motrës së ikur...ku-ku Isuf....në drejtim të paditur....Dhe kujdes, o njerëz, mos harroni që letrën, këtë perlë që ka dalë nga një dorë gjeniale, një shtyllë çeliku kombëtare, kollona vertebrale, kërbishtore, unazore, bishtajore, ta këndoni e ta rikëndoni e armikut të mos ia dorëzoni. Se nuk i dorëzohen armikut perlat de! Perlat jo që jo, por as pelat nuk i dorëzohen armikut, se të bën të pabërën armiku...ta lë pelen me barrë. Le që pastaj ata, armiqtë, i marrin pelat me radhë "ja heqin kësaj e ja vënë asaj... ", siç thotë tekstualisht letra që më ra nga qielli. E kjo më kujtonte shprehjen e të ndjerës gjyshes sime që, meqë kishte një llampë elektrike të vetme, e levizte sa në një portollampë dhome në një tjetër nën fjalët: "Hiqja Lenës e venja Prenës, të mos i mbesë hatri asnjënës!". Vargje për t'u pirë në kupët. Eja thuaj pastaj që të gjitha gjyshet shqiptare nuk janë poete. Ec e mos i përkthe pastaj në gjuhën e Babastanit mbllaçimat e plakave. E more, Birbil Ferra si nuk i përktheve vargjet e gjyshes sime. Do t'a paguaja si frëngu pulën, or mik. Tërë jetën e kam peng në zemër sepse më shkoi humbur talenti i gjyshes. Të botonte një libër dhe ajo ne Babastan, ti rradhitej edhe asaj emri përkrah bejtexhive të ndritur të kohës sonë, ta njihte bota dhe atë... kur të hapnin Vikipedinë me emra të shquar tek germa K, se edhe emrin Kaleshe e kishte. Lëre, lëre, mos e nga më tej pikëllimin, zemra ime!
Vërtetë le ta lëmë gjyshen të pushojë në varr e të kthehemi tek letra. Shprehja e Zenepe Hanëmit "do t’ia dëgjojnë mirë krismën zagarëve" m'u dukën fjalë të arta, për tu vënë në kopertinat e librave të shkrimtarëve të njohur e të panjohur të groteskut europian. Tani se sa do ta marrin në konsideratë ata të komisionit të Nobelit, këtë mund ta dijë më mirë Birbil Ferra i Babastanit që i ka hyrë thellësisht thellë, qilizëm thuaj, poezisë së poeteshave femërore ikanore, falë qindsheve euro-dollarë që ja dërgojnë me DHL e Wester Union, me të cilat mban barkun në gjëndje pune, por edhe laringun të vajisur bukur miri me verë Moldove.

Si u dëgjohet krisma zagarëve, do të pyesni ju të çorjentuar prej këtij aforizmi fantazmagorik?!
- Zagarët?! Po ç'e vrisni mendjen si krisën e si bitisen zagarët, pini ore një kapuçino me molto sciuma (vero italiano) e rehatohuni me ndonjë filtër Malboro...,- ndërhyri në mendimet e mia Bilbil Ferra i Babastanit. 
- Rri, o qepujkë Maqellare, - ja ktheva e vazhdova të meditoj pa ja zgjatur Bilbil Ferrës që i qante zemra për një birbileshë ëmbëlsore matanë detit. Tani, thënë të drejtën, ka një ngatrresë akademike të Zenepe Hanëmit, se zagarët nuk krisin por lehin. Veç, në mos e pastë fjalën se edhe zagarët pj.... Bah.... Kushedi...Pastaj nuk kam dëgjuar ti ushqejnë zagarët me fasule pllaqi Perondie. Mbase e ka fjalën se do të dëgjohet krisma e çiftes, kur policët e bashkisë së Edi Ramës, në mes të natës lëshojnë ca paf-pufe, që ua prishin gjumin diplomatëve të Bashkimit Europian, të cilët, për inat me sa duket, na e kanë shtyrë në kalendat greke futjen në Europë duke na lënë bythjashtë pas dere. Por edhe këtu të na falë Zenepe Hanëmi se nuk ka të drejtë, nuk e vret njeri zagarin por qenin e pazarit... madje edhe për qentë do bërë kujdes sepse i mbrojnë deri në frymë të fundit ata të Animal Rights te BE-së dhe të piu e zeza me gjoba, por edhe mund ti thuash burgut hapu! E për çfarë, për një qen.
- Bah! - Bëj tutje, lëri qentë - më molloisi prap, nga larg, Birbil Ferra i Babastanit.
Që të mos ketë keqkuptime, duhet thënë se zagarët janë pak më të sojmë, vazhdova me deduksinet e mia pa ja vënë veshin Birbil Ferrës, paçka se qen e bir qensh janë dhe ata. Edhe në Europë të jenë, edhe në Amerike e madhe të jenë, edhe në Australi të venë qen mbetën. Edhe lehjet njësoj i kanë, megjithëse njëri prej tyre, këndej në nahijen e Nju Jorkut, ka një lehje të veçantë me një lloj hungërime qiellore e shtiret kinse është qen i sojmë specialiteti, ca thonë akoma më tepër, se pretendon të jetë nga soji i qenit Lajka, që me sputnik i ra rreth e përqark tokës. Qerrata qen i zgjuar Lajka. Por e hëngri dhe ai si Gagarini.U plak dhe e vranë. Të shkretët qen që nuk e dinë fatin e vet. Në rënshin në dorën e Dr. Meleqes, pisk e kanë punën. Dhe vertetë ashtu është sepse, sipas prognozës së filxhanave të përmbysur të kafesë, këndej e andej Atllantikut, ku plakat e thukme Izergill One dhe Izergill Two, qe kane hapur eterine internetike "Fundi i filxhanit- balli damizhanit" ku lëçitet e ardhmja e kundërshtarëve, thuhet se në bazë të shënjave të llumit të zi të kafesë kolumbiane, persekutimi i qenëve dhe kundërshtarëve do të fillojë së shpejti, madje paralel në Europë dhe në Amerikë. Plakat Izergill 1 dhe Izergill 2 gjatë vrojtimit të llumrave të zeza, zbulojnë se plani strategjik është i definuar dhe mbetet vetëm për firmë të zezë e vulë të bardhë. Për qentë do të ketë ca tolerime, do ti ekzekutojnë me respekt si njerëz të kulturuar, ndërsa për njerëzit, pra kundërshtarët, asnjë lloj tolerimi nuk do të ketë, asnjë mëshirë, do të ekzekutohen si qentë e pazarit të mbetur pa strehë. Pra plumb bashkije. E jo plumb gome po plumb plumbi. Direktivat janë dhënë ekipet janë ngritur. Pritet vetëm urdhëri ekzekutiv prej figurave, të njohura dhe të panjohura, të graduara apo të degraduara për tu hedhur në sulm nën moton: Mjer ata që bien pre e mllefit tonë! Fatit të llumrave kurrkush nuk mund ti shmanget!
Ja pra që e paska një spjegim shprehja "krisma e zagarëve". Dhe krisma "se shpejti do tu dëgjohet" siç thuhet në letrën profetike të Zenepe Hanëmes së Vishocicës.

*    *   *

- O zot , s'na u ndanë luftrat ne shqiptarëve -thashë me vete. ...Lashë mënjanë letrën që më solli pshtjellim e dhëmbje koke e nisa të los sërisht në fushën e shahut. Mirëpo loja qe prishur. Në fushë s'e merrte vesh qeni të zonë. Kuajt kishin ikur në grazhd, ushtarët ja kishin këputur gjumit. Burrambretërit ja kishin shtruar me raki për shtatë palë qejfe si sovranë që ishin. Oficerët i kishin nxjerrë lirim pas ndrrimit të Qeverisë. Në mes të kësaj rrumpalle, dy mbretëreshat tek krihnin flokët e praruara në diell, bënin karrshillëk e komunikonin me celular: Pronto!, Çiao!, Adio!, OK!, Thank You! Bonzhu. Parlevu Francu?
Një ushtar prej plumbi, qefli femrash, me një buzëqeshje tinëzare e me sy të përskuqur sikur të kish pirë një shishe raki prej koçimare Dajti, u doli perpara e u tha sa i hante palla: "Shah - mat, zonja nazemadhe! E keni humbur luftën!". Pastaj shtoi: " Jeni robet e mija. Sonte do të flini në haur me kuajt!".
E kështu u zunë mat të dy mbretëreshat. Ndersa imazhet e Zenepe Hanëmes së Vishocicës dhe Meleqe Dybekut të Merremelëngut kishin firaksur si brymë nën rrezet e diellit mengjezor. As në shah e as në jetë më nuk po shfaqeshin. Kushedi në ç'zgafellë ishin futur, si krimbat që rrasen drurëve të dardhave në vjeshtë. Ah vjeshtë, moj vjeshte kanakare, sa shumë e ke pësuar dhe kurrë nuk ke mësuar. Pse u bën krimbave strehë?! Mirëpo tani sa kemi hyrë në pranverë. Pashë rreth e qark se mos i pikasja në ndonjë tubim ku përherë gjënden Meleqe e Zenepe që rrahin gjoksin e bëshëm në tribuna, por kurrkund nuk gjallëronin.
Figurat qenë kthyer në hije, e hijet prej diellit qënë terratisur... si brymë mengjezore. Kishte mbetur vetëm letra...Letra që më zbriti nga qielli...

© Kol Shkodrani 2007