
 
DYLQINJAT E MARK DASH HASHASHIT 
 Nga KOL SHKODRANI 
 Miku im i lashtë Mark Dash Hashashi, me të cilin dikur në kohë të lanetit hanim kaçamak në një kazan bakri, mu vërsul një ditë i ndërkyer se ju duk se me ato që shkruaja e përcillja, ca vjersha të qëmotshme dashurie, i ndillja e i mikloja Dylqinjat e tij të Internetit. 
 Po një inat i egër që i hipi. Si të thuash shtatëqind dreqën.
 - Po për kë e di veten ti more, mos je Bukowski - mu hakërrye i çartallosur e zijosur dhe çapraz si më i bukuri shejtan.
 Nuk dija çfarë ti thosha. Po zihen miqtë e rinisë për një vërrë plakash në vakt të pleqërisë, o Mark Dash Hashashi? Lanet e hukubet bashkë në një thes. Çfarë ti molloisja tjetër Mark Dash Hashashit? Mos ishte bërë xheloz për poezitë e dashurisë që përcolla për Shën Valentin në atë kopuk facebook? Ndoshta. Por shkak unë, betohem për Shtat Xhuxhat në rrugën e Elbasanit, nuk i kam dhënë. Nuk bëj asnjë chat me Dylqinat tij, të cilave u lëpihet si daci në gaviç. 
 Oj të lëpirë. Birbo fare... 
 U përpoqa t'ia sjell llafin urtë e butë, se me egershanë nopran si Mark Dash Hashashi nuk i dilet. 
 Dëgjo more shurdhan fjalët e mia - i thashë. 
 Që lumi ka rrjedhur e di. 
 Që mendja është tharë e di. 
 Që fjala është bërë ferrë e drizë aty ku ishte luledele e manushaqe, e di. 
 Po një gjë po ta them. Ky Interneti është si supermarketi. Këtu gjen çfarë të duash e vertitesh nga të duash. Po ti more Mark Dash Hashashi, hyn në supermarket, që i ka të gjitha brenda dhe tek vjen rrotull si miu në dhokan, i ngerdhucësh pronarit të dyqanit se pse i ka mbushur sergjenet me dhjetë mijë lloj artikujsh. Se unë, thua ti, që s'the asgjë, vetëm një takëm desha, vetëm për një palë brekë plakash erdha. 
 Puf-Puf-Puf, more Nasuf, po të zien vorba e groshëve për fundi, dale se qelbe katundin...
 Mark Dash Hashashi e kish llafin kësisoj, që tua bëj unë punën e dragumanit te internetit. Kish zënë një dashnore të re, një plakë interneti nga Sllavonia. E kish drojë se ja këpusja lozen unë. Se plaka e paska pyetur në chat se pse nuk lë edhe ti mustaqe si Kol Shkodrani. 
 Ah, ata mustaqet e Koles - i kish thene dashnorja e Sllavonise.
 E Mark Dash Hashashi sytë xixa. Gjak në vetull nuk i dilte.
 Lumi që rrjedh ku nuk të çoka.
 Si ti thosha ndryshe atij palikari plak që ju fry bilbili i dashurisë tani në pleqëri të thellë me xhelozi murrëtore, marrazore, duke bërë lanet edhe miqtë. 
 Çfarë nuk të bëkërka fiku i vogël në motmot të vonë.
 Mos e lentë Zoti njeriun pa një kokërr fik të ëmbël, se shkallon fare, i bie tavani e ngelet cullak nën diell.