Saturday, January 17, 2009

Maria ishte bukuroshe - nga Kol Shkodrani


MARIA ISHTE BUKUROSHE...

nga KOL SHKODRANI

I thanë një herë një gjyshi plak, se si shumë kjo mbesa jote e bukur rri e preket me çunat. Ai, pa e zgjatur ua ktheu, po ja do trupi more djem e kur ja do trupi nuk ka si e ndalon turpi.
E për të vërtetë çfarë faji kanë bukuroshet sa kohë që ua kërkon gjaku, dëshirat e jetës. Vërtetë çfarë faji kanë ato kur ne burrave, sado të sertë të jemi, na mbeten sytë tek bukuroshet. Se çfarë bëhet me lëngjet e përbrendshme me të cilat merret mjekja e famshme e Teksasit Kristine Durante, që shpjegon dëshirat seksuale intensive të grave, vartësish ndikuar prej bukurisë se tyre fizike, nuk e di, por di një barcaletë për një bukuroshe shkodrane që luante nga fiqiri çdo mashkull, sado zotni e namuzqar të ishte. E një nga këto burra që tollovitej prej grave e vajzave të bukura ishte edhe mësuesi ynë Kol Tuxhari.
...Një mëngjes zotni Kola hyri ne klasë. Të gjithë fëmijët zunë vendet. Por dy nxënës që i kishin bangat pranë dritares çuçuritnin. Mësues Kola zgjati kokën e pa nga dritarja. Po kalonte një femër e bukur në rrugë. Krrëk ja bëri diçka brënda vetes zotni Kolës. Si u zhduk imazhi i femrës marramendëse, zotni Kola ju afrua njërit prej nxënësve dhe, si e zuri për veshi, e pyeti se çfarë dëgjoi nga shoku i vet. Ky i shkreti desh s'desh u tregua i sinqerte:
-Zoti mësues, ky Marku me tha se Maria është kurvë!
Klasa beri një uuuuu... dhe priste shpërthimin e zotni Kolës, i cili ishte mësuesi më nevrik i shkollës. Kish arritur t'i rrihte nxënësit me vizore. Prej tij tmerroheshin vetë mësuesit.
Në klasë nuk dëgjohej pipëtimë. Mirëpo kurrgjë e tillë nuk ndodhi. Përkundrazi zotni Kola buzëqeshi lehte e i tha atij pranë dritares, që kishte bërë faj e dridhej si purteka në ujë:
- Kur të mbaroje mësimi, ti do të rrish në klasë.
Mbaroi dhe ajo orë e tensionuar mësimi dhe i shkreti nxënës, i tmerruar për çfarë do të pësonte prej zotni Kolës, të tmerrshmit të shkollës,  qe mbledhur si grusht. Shihte vetëm majat e këpucëve të veta. Ai nuk ishte Luli i vocërr e mësuesi i tij nuk ishte Migjeni zemërbutë. Ishte mësues Kola i sertë e i ashpër si shkëmb. Fëmijët e tjerë përgjonin pas dere e prisnin ulërimat e mësuesit të pasuara me të qarat e nxënësit.
Por ndodhi ajo që nuk pritej. Brenda klasës një qetësi e çuditshme. Kur nxënësi u shfaq tek porta, shokët iu mblodhën përqark si zogjtë dhe pyeten a mos e rrahu mësuesi, i bërtiti, i theu notën në sjellje apo diç tjetër?
Por kurrgjë nga këto nuk kishte ngjarë.
- Po çfarë të tha, pra... - e pyeten shokët me padurim.
- Asgjë, - u përgjigj nxënësi.- Me pyeti se ku e kishte shtëpinë Maria dhe ja tregova. Vetëm kaq.
E pse duhet të ngjiste diç tjetër?! Po fundja... Çfarë faji kishte nxënësi? Çfarë faji kishte mësues Kola?!
Askush nuk kishte faj pse Maria ishte bukuroshe.
As vetë Maria...

Kol Shkodrani © 2009