Wednesday, October 4, 2023

🔴Rraso Fiku i Bostonit - nga Kol Shkodrani


RRASO FIKU I BOSTONIT

Rapsodi në dy kohë

 

MË NXORRI RRASUA NA QISHA

Keni parë ju se ndonjëherë të pjell belaja edhe me Rrasot? Po kjo histori është e vjetër, ka ndodhur në pranverën me grica, vitin e mbrapsht 1997 në Boston.

 

Më nxorri Rrasua na Qisha

- nga Qisha - i mjeri unë,

më ngriu bora dhe ngrica,

më ngriu - fatziu unë.

Ish e djelë atë ditë

- e djelë - o i mjeri unë,

Rrasua thartoi turinjtë,

i thartoj - fatziu unë.

Rrasua më tregoi pragun

- m'a tregoi- i mjeri unë,

mbeta udhës e sokakut,

krakacul - fatziu unë.

Sillja lajme nga Shqipëria

- lajme - o i mjeri une,

ndaj m' dënoi Rraso mavria,

më dënoi - fatziu unë.

        *    *    *

Po ç'të bëra more Rraso

- ç'të bëra - i mjeri unë,

t' sillja lajmet e Moskovit

nuk besoj t'ma vije drunë?

Se paratë që merr ti Rraso

- i merr - o i mjeri unë,

i bekon Kryeprifti rus,

i bekon - fatziu unë

Ti tani drekon me grekët

- grekët – o i mjeri unë,

bark në bark me Gaxojanin,

Gace-n o fatziu unë.

A ç 'mi paske punët grurë

- grurë mbi grurë- i mjeri unë,

me shoven e me memurë,

me shoven- fatziu unë.

Rraso, bëji zë Fan Nolit!

- Nolit- o i shkreti unë,

të të flasë për Skenderbenë

e nga Qisha t'a vërë drunë.

E qiririn në kazan

- në kazan - i mjeri unë,

në kazanin me katran,

t'a shuaj e të mbaroj punë.

 *    *    *   

 

Katolik unë kam qëlluar

- katolik - i mjeri unë,

ndaj m'a bëri jeten pus,

pus në pus - fatziu unë.

Po të isha orthodoks

- orthodoks- i mjeri unë,

do ma vinte thikën n' kockë,

thikën - o fatziu unë

Do t'më shpallte i pa fe

- i pa fe - i mjeri unë,

i pa fe e pa Atdhe,

Atdhe - o fatziu unë.

Se dhe toka në varr s'të mban

- s’të mban - o i mjeri unë,

në të shpallt' Rrasua satan,

satan - o fatziu unë.

             *    *    *

Mu në shpirt më hyri ngrica

- ngrica - o i mjeri unë,

më zboi Rrasua nga Qisha,

nga Qisha - fatziu unë

Se po desh Rraso mavria.

- mavria - o  i mjeri unë,

të bën hasha perëndia,

hasha - o fatziu unë.

Prandaj shko e puthi dorën

- dorën- o i mjeri unë,

ha buk meshe e vër dollarë,

dollarë - o fatziu unë.

Se Rrasua është perëndi

- perëndi - i mjeri unë.

të bën gjëmën, o njeri,

ta bën e ç'ke me atë punë.

 

© Kol Shkodrani

 

FASULET E RRASO FIKUT

Koha e dytë është një histori me fasule që ka ndodhur në pranverë 2001, në Fordham University New York.

 

Çfarë këshillon Rraso Mavria

kur në Qishë i vinë njerëzia

e i thonë nja dy fjalë:

- Mos u lidh me Janullanë!

- A të keqen, more Dule,

në vend të kritikave ha fasule

dhe fasulet të jenë të nxehta

se bëjnë dem ato të shkreta.

Të ftohtat të mërdhijnë barkun

ngelesh brenda - s'kalon pragun

këtë këshillë ta jep urata

lëngun merre me kafshata.

Merre shtruar, o i uruar

të hash petë e lakëruar

dhe me Rason mirë ta kesh

byrekun ta bësh me presh.

Hidhi gjalpë e hidhi vaj,

veçse grekët mos i shaj,

mos i shaj se janë të mirë

i kam miq të pavdirë.

Bukën s'ta japin me shëllirë

por ta lyejnë rrotën mirë

thotë Rrasua në gazetë.

"Koha jone" - faqja tretë.

 

* * *

 

Rraso-Fiku me fasule

para grekut u përkule

i bën Janos temena:

- Anastasio, tjetër s'ka.

Nuku gjëndet në Shqipëri

kokëndritur si ai,

ndaj Rasua vet i tret

do të niset në turnet.

Me Theodos e Anastanë

do të mblidhet në Tiranë,

pastaj të niset turr e vrap

në të bukurin Beograd.

Do të marrin dhe atje

ndonjë serb fytyrë dhe

si të puthen e të nduken

drejt Moskës do të zhduken.

 

* * *

 

Drejt Moskës fluturim

ndalin vrapin në Kremlin

rus Patriku del në derë

i pret miqtë me poterë:

- Rroftë Orthodoksia!

Rusi, Serbi, dhe Greqia!

- Dale se është dhe Shqipëria

zë thërret Rraso mavria.

Rus Patriku bën çudi:

- Pse ka ardhur ky njeri?

Ç'do shqiptari në Triumvirat

Athinë, Moskë e Beograd.

Në do të futet në Kremlin

ta harrojë Shqipërinë

me tre gishta bëhet kryqi

me dy duar - mbushet syndyqi.

Nëse do ky ylfete,

e të haje bukë me ne

le të futet në kope

që udhëheqim ne të tre!

 

* * *

 

O Zot, Rrason se ç'e gjeti

si kukudh në Kremlin mbeti

s'i bëjnë nder këtij burri

si në Pjer 4 n’ festë të Flamurit.

Me fjalime hovarda

në ball’ të turmës me urra

se këtu – o, bu-bu-bu

mbeti, si të ish si kërcu.

Mbeti si të ish një hiç

porsi daci në gaviç,

e shkreta mjekra e bardhë

shkulen qimet radhë e radhë.

 

* * *

 

Kur e sheh se s'i bëjnë vend,

mblidhet Rrasua në një kënd,

më kot rri e lexon Dhiatën

e mori ferra uratën.

I thërret mendjes por është vonë:

- Po shqiptarët ç'do më thonë?

Ç'do thosh’ Noli po të ish gjallë?

Po Skënderbeu me pallë?

 

* * *

 

Struket Rrasua në një qoshe,

ah, moj politike kodoshe!

Ah, ti Grek e ti Serbi

më degdiset në Rusi.

Mbeçë, more shokëni, mbeçë

përtej Urës së Qabesë,

si qiriri që po me shuhet

në katran të teneqesë.

 

©️KOL SHKODRANI 

 Boston, mars 1997- New York, prill 2001